
MARRËVESHJE PËR KUSHTET E PUNËS
Kjo marrëveshje është një kontratë midis klientit (individ ose biznes) dhe Rubicon Sh.a, e cila zotëron me të drejta të plota platformën “Pago”, NUIS M02129014T, adresë Rr. “Donika Kastrioti”, Pallati Teknoprojekt, Kati 6, Dera 3, Tiranë, Shqipëri, e licencuar nga Banka e Shqipërisë me licencën nr. 52 datë 21.01.2022 si Institucion Financiar Jo-Bankë.
Kjo Marrëveshje përbën KUSHTET E PUNËS dhe rregullon të drejtat e detyrimet për përdorimin e platformës web pago.al dhe aplikacionit mobile “Pago”.
Ju lutemi lexoni me kujdes këtë Marrëveshje, përpara se të përdorni “Pago”, pasi duke përdorur Shërbimin, mbështetur në Nenin 686 të Ligjit nr. 7850, datë 29.7.1994 “Kodi Civil në RSH” (i ndryshuar) ju pranoni se jeni njohur dhe keni dakordësuar të zbatoni kushtet e saj. Nëse nuk pajtoheni me ndonjë prej kushteve dhe klikoni butonin “nuk pranoj”, ju nuk mund ta përdorni këtë shërbim! Duke klikuar butonin “pranoj” ju jepni pëlqimin e shprehur se pranoni këto kushte, me fuqi detyruese ndërmjet Klientit dhe “Rubicon”
1. PËRKUFIZIME:
a) “Pago” – palforma digjitale e Rubicon, në të cilën ofrohen shërbimet e saj.
b) “Platformë digjitale”– është platforma e shërbimeve elektronike që garanton qasje në llogaritë e Klientit si dhe në produktet e tjera duke përdorur faqen web të internetit dhe/ose aplikacionin “Pago” e shkarkuar në aparatin celular, këtu e ne vijim referuar si shërbimet nëpërmjet internetit dhe celularit.
b) “Aplikacion nëpërmjet celularit (mobile)”– nënkupton shërbimet digjitale të ofruara nga Rubicon kundrejt Klientit duke i dhënë qasje në llogarinë(të) / produktet nëpërmjet aplikacionit “Pago” të shkarkuar në aparatin celular.
c) “Klient”-i referohet çdo klienti të Rubicon i cili ka kryer procesin e Njih Klientin Tënd (KYC- Know Your Client) dhe është pranuar nga Rubicon për të përftuar nga Shërbimet Digjitale.
d) “Procedura njihe klientin tënd (KYC- Know Your Client)”– nënkupton një sërë rregullash, të përdorura që kanë të bëjnë me politikat e pranimit e të identifikimit të klientit dhe administrimit të riskut të tyre.
e) “Pronar përfitues”– është personi fizik, që zotëron ose kontrollon i fundit një klient dhe/ose personi, për llogari të të cilit kryhet një transaksion. Këtu përfshihen edhe ata persona, të cilët ushtrojnë kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik ose organizimi ligjor. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia, në të cilën një person:
i. zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të paktën 25% të aksioneve ose të votave të një personi juridik ose organizimi ligjor;
ii. i vetëm zotëron të paktën 25% të votave të një personi juridik ose organizimi ligjor në bazë të një marrëveshjeje me ortakët ose me aksionarët e tjerë;
iii. përcakton de facto vendimet e marra nga personi juridik ose organizimi ligjor;
iv. kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së administratorëve të personit juridik ose organizimi ligjor.
f) “PEP – Personat e Ekspozuar Politikisht”– janë personat, të cilët:
i. janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive, sipas ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin e kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” (i ndryshuar), përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
ii. kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi.
iii. kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në organizata ndërkombëtare, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, sipas kuptimit dhe rregullave të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Kjo kategori personash konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 3 vite pas largimit nga funksioni.
g) “Rezident”– sipas ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 Për Procedurat Tatimore në RSH do quhet:
i) individi, i cili:
– ka një vendbanim në Republikën e Shqipërisë, në kuptim të nenit 12 të Kodit Civil;
– ka nënshtetësi shqiptare dhe është funksionar diplomatik ose kryen një funksion të ngjashëm, në emër të Republikës së Shqipërisë, jashtë territorit të saj;
– në mënyrë të vazhdueshme ose me ndërprerje, qëndron në Republikën e Shqipërisë më tepër se 183 ditë në një periudhë prej 365 ditësh;
ii) personi fizik, i cili është regjistruar në organin kompetent me këtë cilësi, në bazë të legjislacionit shqiptar
iii) personi juridik, i cili:
– është regjistruar si person juridik shqiptar;
– e ka vendin e administrimit efektiv të veprimtarisë në Republikën e Shqipërisë;
h) “Vendbanim”– është njësia në të cilën jetohet për më shumë se tre muaj pa ndërprerje, ose më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik.
i) “Organizime ligjore”– janë trustet apo marrëveshjet e tjera të ngjashme.
j) “Pronësi”– janë të drejta apo interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jo material, përfshirë dhe ato të evidentuara në formë elektronike apo numerike (digjitale), duke përfshirë, por pa u kufizuar në instrumente të tilla si llogaritë, kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur apo vlerë tjetër që buron prej tyre.
k) “Subjekt”– është personi fizik ose juridik që vendos marrëdhënie biznesi me klientë, gjatë veprimtarisë së tij normale apo si pjesë e veprimtarisë tregtare ose profesionale të tij.
l) “Transfertë e drejtpërdrejtë elektronike”– është çdo transaksion i kryer në emër të një Klienti përmes një institucioni financiar, nëpërmjet mjeteve elektronike apo telegrafike, për vënien në dispozicion të një shume të caktuar parash ose instrumentesh të tjera të tregut të parasë ose pagesave, për një person/subjekt përfitues.
m) “Ditë pune”-nënkupton çdo ditë (me përjashtim të fundjavave) gjatë së cilës janë hapur për bizneset që operojnë në Republikën e Shqipërisë. Festat zyrtare nuk përfshihen.
n) “Pajisja e Klientit”-nënkupton të gjitha aparaturat dhe pajisjet e përshtatshme, programet kompjuterike software (duke përfshirë të gjitha programet e shkarkuara), kanalet e komunikimit (duke përfshire kanalet publike të komunikimit) dhe pajisjet e aparatit celular të cilat mund të përdorin sistemet operative Android të Google dhe iOS të Apple.
o) “Aplikacione keqdashëse” (Malicious Applications)- i referohet aplikacioneve të cilët marrin aksese, modifikojnë, mbledhin informacione nga aparati celulare i Përdoruesit apo aplikacione të instaluara në aparatin celular të Përdoruesit.
p) “Elementet e sigurisë”-nënkupton fjalëkalimin një përdorimesh nëpërmjet mesazhit SMS OTP, kodin PIN, Mobile Token.
q) “Mobile Token”– aplikacioni i autentifikimit i integruar me aplikacionin e shërbimit dixhital të shkarkuar në celular. Pas aktivizimit, ky element i shkarkuar në celular mund të përdoret për të autentifikuar përdoruesit dhe për të autorizuar transaksionet nëpërmjet skanimit të një imazhi (cronto) me ngjyrë ose duke gjeneruar fjalëkalimin një përdorimesh (OTP – One Time Password).
r) “SMS OTP” (Fjalëkalimi një përdorimesh i dërguar me mesazh)- nënkupton numrin e fshehtë një përdorimesh që i shfaqet Klientit në numrin e regjistruar të celularit, që e ka vetëm Klienti. Fjalëkalimi një përdorimesh i dërguar me mesazh SMS OTP vlen për të identifikuar Klientin.
s) “Kodi PIN”– kombinimi i te paktën 4 (katër) karaktereve të përcaktuar gjatë aktivizimit te aplikacionit në aparatin celular ose në pajisjen fizike. Kodi PIN përdoret me qëllim autenticiteti në momentin e kryerjes së transaksioneve.
t) “Fjalëkalim”– është kombinim i karaktereve të cilët mund të jenë numra, shkronja dhe simbole dhe përdoret si një nga komponentët e identifikimit të klientit për të hyrë në llogari
2. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
a. Shërbimet digjitale mund të përdoren nga çdo Klient, i cili ka kaluar procesin e Njih Klientin Tënd dhe është konfirmuar nga Rubicon për të hapur llogari.
b. Me pranimin e këtyre kushteve, Klienti deklaron se Rubicon e ka pajisur atë me të gjithë informacionin e duhur referuar shërbimeve të ofruara sipas kësaj marrëveshje. Nëpërmjet aplikimit sipas hapave të përcaktuar, nënkupton dhënien e aprovimit të Klientit se kupton dhe është dakord me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë prej kësaj Marrëveshjeje.
c. Nëpërmjet “Pago” ofrohet një gamë e caktuar produktesh dhe shërbimesh, për të cilat Rubicon gëzon të drejtën për t’i ndryshuar ato pa ndonjë miratim specifik paraprak nga ana e Klientit. Çdo ndryshim apo shtojce e bërë ndaj shërbimeve digjitale të dakortësuara, si dhe shërbimet e reja të ndërmarra ose disponueshmëria / mungesa e shërbimeve të veçanta do t’i komunikohen Klientit 15 ditë para datës hyrjes në fuqi, nëpërmjet njoftimit në app, publikim në web apo postës elektronike.
d. Rubicon njofton klientin se ka të drejtë të vendosë kufizime për realizimin e operacioneve nëpërmjet platformës së shërbimeve digjitale në varësi të kërkesave të legjislacionit të zbatueshëm, rregulloreve të brendshme të Rubicon, këtyre kushteve pune si dhe kërkesave për mirëmbajtjen e sigurisë se duhur të vetë sistemeve të Rubicon.
e. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, Klienti i jep Rubicon pëlqimin dhe autorizimin e parevokueshëm që Rubicon, sipas diskrecionit të saj, për shkak të përmirësimeve, rritjen e masave të sigurisë ose ndryshimeve në legjislacionin aktual në fuqi, mund të revokojë ose ndryshojë transaksionin dhe kufizimet ditore për transaksionet e dakortësuara me Rubicon që do të ekzekutohen nëpërmjet shërbimeve digjitale.
f. Transaksionet e kryera nëpërmjet shërbimeve digjitale në favor të llogarive të të tretëve, do të kryhen vetëm nëse Klienti do plotësoje kodin 4 shifror që krijohet nga vetë ai në momentin e hapjes së llogarisë.
g. Rubicon nuk do të konsiderohet përgjegjëse për ndonjë dëm të mundshëm që rezulton ose ka të bëjë me gabimet në transaksion, defektet teknike të çfarëdo lloji apo natyre, ndërprerjet e linjës, papajtueshmëritë me lehtësirat e sanksionuara dhe të administruara nga të tretët, duke përfshirë por pa u kufizuar në to: operatorët e shërbimeve celulare apo dhe furnizuesit private te rrjetit. Klienti do te vishet me përgjegjësi referuar rrezikut te defekteve ne pajisjet fizike hardware ose programet kompjuterike software të vetë Klientit apo dhe nga keqpërdorimi i elementëve identifikues.
3. REGJISTRIMI NË SHËRBIMIN DIGJITAL
Platforma PAGO ofrohet si aplikacion për sistemin Android, iOS dhe si faqe web.
Klientët, duke kaluar procesin e “Njih klientin tënd” në distancë (pa prezencë fizike), gjatë hapave të ndjekur në këtë proces, pranojnë kushtin që kamera dhe mikrofoni i pajisjes elektronike që do përdorin do jenë të ndezur për arsye autenticiteti.
Platforma Pago ofrohet vetëm për individët (rezidentë dhe jo rezidentë) në moshë madhore (mbi 18 vjeç), të cilët për të pasur një llogari “Pago” duhet të ndjekin hapat si vijon:
3.1 Individët:
1. Duhet vendosur numri i telefonit nëpërmjet të cilit do lidhet klienti, në të cilin do dërohen njoftimet si numra sigurie që do shërbejnë për të kaluar në hapat e tjerë;
2. Klienti njoftohet me SMS për një kod 6 shifror si pjesë e praktikës One Time Password;
3. Më pas kërkohet foto e dokumentit të identifikimit në të dyja anët e saj;
4. Klienti, i përqëndruar te kamera, vepron sipas sugjerimeve që shfaqen në ekran. Ky hap bëhet për të shmangur rastet kur identifikimi bëhet me manipulim nëpërmjet një fotoje të klientit;
5. Deri në këtë pikë është kryer 50% e procesit të verifikimit! Në formë tabelore shfaqen të dhënat që janë gjeneruar nga fotoja e kartës, të cilat pranohen nga klienti duke shtypur butonin “vazhdo” nëse të dhënat janë të sakta. Nëse të dhënat janë pasqyruar gabim, përzgjidhet opsioni “ndrysho të dhënat”, të cilat plotësohen në mënyrë manuale nga vetë klienti.
6. Në vijim kërkohet klienti formon një fjalëkalim sipas përshkrimit të përcaktuar, i cili duhet mbajtur mend pasi shërben si hap sigurie dhe do përdoret në çdo transaksion që do kryhet;
7. Adresa elektronike (e-maili) vlen për të mbajtur komunikime dhe njoftime në funksion shërbimeve të Pago;
8. Klienti duhet të vendosë vendbanimin e tij;
9. Në mënyrë fakultative është lënë nëse klienti ka dëshirë të bëjë identifikim biometrik.
3.2 Bizneset:
i) Në rastin kur një individ ka një llogari në PAGO dhe zotëron një biznes personal, pra subjekti privat (biznesi) ka administrator dhe aksionar të njëjtin individ që ka dhe llogarinë në platformën Pago, llogaria për biznesin mund të krijohet brenda llogarisë individuale duke plotësuar të dhënat sipas fushave të kërkuara.
ii) Në rastin kur subjekti ka disa aksionarë ndiqet procedura si më poshtë:
Pasi shkarkohet aplikacioni, në momentin e hapjes, shfaqen disa fusha të cilat duhet të plotësohen për të proceduar me hapat e mëtejshëm. Fushat e detyruara për plotësim janë:
1. Numri i telefonit të subjektit nëpërmjet të cilit do shkojnë njoftimet si numra sigurie që do shërbejnë për të kaluar në hapat e tjerë;
2. Emri tregtar i subjektit;
3. Numri Unik i Identifikimit të Subjekti (NUIS/NIPT);
4. Forma ligjore e biznesit;
5. Data e krijimit të subjektit i cili do jetë në rendin Viti/Muaji/Dita;
6. Data e nënshkrimit të Marrëveshjes / Kushteve të Punës me Rubicon që përkon me datën kur aplikohet për çelje llogarie në PAGO;
7. Objekti i veprimtarisë së subjektit;
8. Adresa e saktë e subjektit;
9. Adresa elektronike e subjektit, i cili do shërbejë për komunikimet zyrtare me Rubicon;
10. Vendi i ushtrimit të aktivitetit (Qyteti, Rrethi);
11. Pas plotësimit të këtyre fushave dhe pranimin për të kaluar në hapin tjetër, përfaqësuesi ligjor i subjektit, njoftohet me SMS për një kod 4 shifror i cili është një nga hapat e vërtetësisë të përdoruesit.
12. Hapi i radhës do jetë ngarkimi i dokumenteve që nevojiten për përmbushjen e detyrimeve për procesin “Njih Klientin Tënd” (KYC). Dokumentacioni që duhet ngarkuar në platformë është:
a) Foto e dokumentit të identifikimit nga të dyja anët e përfaqësusesit ligjor të shoqërisë.
b) Kopje elektronike nga e-albania e ekstraktit historik të shoqërisë.
c) Kopje elektronike nga e-albania e ekstraktit historik të Pronarëve Përfitues. Për aksionarët/individë që zotërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të paktën 25 % të aksioneve ose të votave të një personi juridik ose organizimi ligjor duhet të ngarkohet në platformë dokumenti i identifikimit të secilit.
13. Pas plotësimit sipas hapave të mësipërm, shfaqet një tabelë në të cilën do jenë të evidentuar në mënyrë kronologjike të dhënat që janë plotësuar. Duhet të lexohen me kujdes nga ana juaj nëse të dhënat janë të sakta.
14. Krijoni një PIN 4 shifror, i cili duhet të njihet vetëm nga personi i autorizuar për përdorimin e llogarisë “Pago”. Vendosja e këtij PIN shërben në çdo transaksion që do kryhet nëpërmjet llogarive të biznesit.
15. Pas përfundimit të këtyre fazave, dokumentacioni i ngarkuar kalon në fazë shqyrtimi dhe brenda 24 orëve subjekti njoftohet për pranimin e kërkesës nëse është paraqitur korrekt çdo dokumentacion. Në rast të kundërt Rubicon informon për të plotësuar të dhënat dhe për të përfunduar procesin. Rubicon rezervon të drejtën për të kryer një video-telefonatë me administratorin e shoqërisë për të siguruar vërtetësinë e tij.
Në çdo rast të ndryshimeve strukturore në pronësinë, drejtimin dhe administrimin e shoqërisë, subjekti është i detyruar të njoftojë në mënyrë të menjëhershme Rubicon. Në rast se ky njoftim nuk ndodh dhe Rubicon penalizohet nga autoritetet përgjegjëse/mbikëqyrëse, kostot financiare i faturohen biznesit që nuk ka kryer njoftimin!
Bazuar në nenin 8 të Ligjit nr. 9917 datë 19.5.2008 Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (i ndryshuar) dhe Udhëzimit nr 1, datë 21.1.2025 të Ministrit të Financave “Për Mënyrat dhe Procedurat për Zbatim nga Subjektet e Përfshira në Veprimtari Financiare”, identifikimi i klientit kryhet nëpërmjet identifikimit elektronik të sigurt, në përputhje me kërkesat e ligjit të fushës “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, pasi janë plotësuar hapat e mësipërm për dy kategoritë e klientëve (individ apo biznes).
Në zbatim të Aktit të SHBA për Përputhshmërinë Tatimore të Llogarive të Huaja (“FATCA”), objektivi i të cilit është të luftojë evazionin tatimor nga tatimpaguesit amerikanë, Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave (“IRS” – autoritet tatimor i SHBA) ka hartuar një strukturë për të mbledhur nga institucionet financiare jo-amerikanë, në bazë vjetore, informacione lidhur me të ardhurat e huaja dhe asetet e mbajtura nga tatimpaguesit amerikanë jashtë SHBA.
Klientët individë që janë shtetas dhe bizneseve që kanë selinë në SHBA, gjatë procedurës “Njih Klientin Tënd” duhet plotësojnë dhe formularët respektiv, të cilët i vihen në dispozicion nga Rubicon.
4. HUMBJA E FJALËKALIMIT APO NUMRIT TË TELEFONIT, NDRYSHIMI I KODIT (PIN), KOMPROMENTIMI I LLOGARISË
a. Nëse klienti nuk kujton fjalëkalimin për t’u kyçur në platformën PAGO ndiqen hapat: Hap Pago -> “Harruat fjalëkalimin” -> Vendoset numri i telefonit me të cilin është çelur llogaria -> “Dërgo kërkesën”. Brenda pak çastesh do ju mbërrijë një mesazh me një kod 6 shifror në numrin tuaj i cili do ju lejojë që të krijoni një fjalëkalim të ri tuajin.
b) Për ndryshimin e kodit (Pin-it) ndiqen hapat: Hap Pago -> në pjesën e menysë kryesore kliko “Konfiguro” -> “Siguria” -> “Ndrysho kodin (PIN)”. Për të ndryshuar kodin (PIN) së pari vendoset kodi (PIN) e vjetër e më pas të vendoset i riu duke e rikonfimuar më poshtë për të përmbyllur procesin.
c) Në rastet kur harrohet edhe kodi (PIN) i vjetër, ndiqen hapat: Hap Pago ->Konfiguro -> Ndrysho PIN -> Keni harruar kodin PIN. Shfaqen dy fusha për tu plotësuar (numri personal i identifikimit dhe numri i dokumentit të identifikimit me të cilin është bërë regjistrimi në platformë).
d) Në rastet kur klienti dyshon se i është kompromentuar llogaria duhet:
1. Të ndryshojë fjalëkalimin dhe po ashtu kodin (PIN);
2. Nëse sërish ka dyshime se këto hapa nuk kanë funksionuar atëherë telefonohet shërbimi ndaj klientit për të kryer një bisedë (video-call) për të mundësuar bllokimin e llogarive deri në momentin e sqarimit të situatës.
e) Në rastet kur klienti pretendon se i ka humbur numri me të cilin ka çelur llogarinë në “Pago” së bashku me pajisjen e elektronike në të cilin ka vendosur numrin, duhet në mënyrë të menjëhershme të kontaktojë shërbimin ndaj klientit për të kryer një bisedë (apo video-call), për të mundësuar bllokimin e llogarive deri në zgjidhjen e situatës.
f) Klienti mund të marrë informacion më të zgjeruar në rubrikën “Pyetje të Shpeshta” në web dhe app Pago
5. AUTORIZIMI I URDHËRPAGESAVE
a) Pas plotësimit të procedurës së autentifikimit / autorizimit (Emri i përdoruesit / fjalëkalimi / kodi PIN) dhe plotësimit të të dhënave të detyrueshme të urdhërpagesës, platforma shfaq të dhënat e pagesës për një konfirmim përfundimtar. Nëse të gjithë kushtet e nevojshme për kryerjen e pagesës janë plotësuar pas konfirmimit, platforma shfaq një mesazh me statusin e pagesës të kryer. Nëse një nga kushtet e nevojshme nuk plotëson kriteret e vlefshmërisë, atëherë platforma do të shfaqë mesazhin përkatës të refuzimit të transaksioni (psh: “Ju nuk keni fonde mjaftueshëm në llogari”)
b) Çdo urdhërpagesë e autorizuar nëpërmjet “Pago” duke përdorur elementët e autentifikimit që legjitimojnë / autentifikojnë personin si një përdorues të vlefshëm të kësaj platforme, do të konsiderohet si një urdhërpagese e rregullt, e autorizuar në emër e për llogari të Klientit nga vetë ai. Në këtë kuadër, Klienti njeh dhe pranon në mënyrë të parevokueshme se do të jetë përgjegjës për ruajtjen dhe mospërhapjen e elementëve të dhënë të autentifikimit.
c) Klienti kupton se duhet të këtë fonde të mjaftueshme në llogarinë / llogaritë e tij për të realizuar të gjitha transfertat / pagesat nëpërmjet “Pago”. Nëse fondet në llogarinë / llogaritë nuk janë të mjaftueshme për të realizuar transaksionin e autorizuar, ekzekutimi i transaksionit refuzohet.
d) Rubicon do të ekzekutojë urdhërpagesat e autorizuara, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
e) Urdhërpagesat ose transaksionet dhe çfarëdo dokumenti tjetër elektronik i dërguar nga Klienti nëpërmjet shërbimit digjital do të konsiderohen dokumente të autorizuara e të autentifikuara.
f) Klienti mund të personalizojë shërbime të caktuara dhe të vendosi politikat individuale në lidhje me pagesat automatike. Për këtë lloj shërbimi është e detyrueshme që klienti të japi autorizim.
g) Në rastet kur klienti merr njoftim për kryerjen e një pagese nga llogaria e tij por nuk është në dijeni dhe do të bllokojë transaksionin, duhet të kontaktojë menjëherë shërbimin ndaj klientit për të proceduar
6. LIMITE TRANSAKSIONESH
Limite Transaksionesh në Lek |
||
|
INDIVID |
BIZNES |
Vlera maksimale ditore Lek e kreditimit të llogarisë |
200 000 |
1 000 000 |
Limiti i numrit të transaksioneve ditore |
50 |
100 |
Vlera maksimale mujore Lek e kreditimit të llogarisë |
1 000 000 |
5 000 000 |
Limiti i numrit të transaksioneve mujore |
500 |
1000 |
Vlera maksimale vjetore Lek e të gjitha veprimeve |
5 000 000 |
10 000 000 |
Vlera minimale Lek për një rimbushje llogarie |
5 000 |
10 000 |
Vlera maksimale ditore Lek për rimbushje |
200 000 |
1 000 000 |
Vlera maksimale ditore Le për tërheqje |
200 000 |
1 000 000 |
* Vlerat e mësipërme nuk janë përjashtuese. Nëse klienti individ apo biznes kërkon të kryejë veprime që kalojnë këto limite, është e nevojshme/detyruese që të paraqesë dokumente shtesë për justifikimin e fondeve që do mbushë llogarinë apo qëllimin e përdorimit. Këto dokumente duhet të dërgohen (në rrugë elektronike apo fizike sipas dëshirës së klientit) dhe vetë klienti mban përgjegjësi për vërtetësinë e tyre (në rast mashtrimi, përgjegjësia penale bie mbi klientin). Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga strukturat e brendshme, klienti njoftohet për vazhdimësinë e marrëdhënies së biznesit.
7. TE DREJTAT DHE DETYRIMET E RUBICON
a) Rubicon ka të drejtë të bëjë ndryshime në këto kushte, sië është përcaktuar në pikën 2/c më sipër.
b) Rubicon nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë çrregullim ose ndërprerje të rrjetit të telekomunikacionit dhe për pasojë, mosfunksionimit të shërbimit digjital që mund të shkaktojë. Rubicon ka të drejtën të përditësojë rregullisht shërbimin digjital. Nëse gjatë përditësimit ose mirëmbajtjes të platformës, mund të ketë ndërprerje të shërbimit digjital, klienti njoftohet paraprakisht.
c) Rubicon nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë dëm ose humbje financiare të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që pëson Klienti si pasojë e papajtueshmërisë me ndonjë prej këtyre Kushteve Pune nga ana e Klientit.
d) Rubicon gëzon të drejtën për të refuzuar kërkesën e Klientit për kontraktimin e shërbimeve digjitale ose të heqë këtë shërbim në çdo kohë, nëse Klienti nuk vepron ose nuk ka vepruar në pajtim me legjislacionin në fuqi.
e) Rubicon gëzon të drejtën për të zgjidhur në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje, në rastet kur Klienti nuk i zbaton këto kushte pune si dhe udhëzimet e njoftimet e Rubicon.
f) Rubicon gëzon të drejtën të bllokojë menjëherë përdorimin e shërbimit në rast të dyshimit të arsyeshëm se kredencialet e Klientit, elementët e sigurisë janë kompromentuar ose në rast të njoftimit të hyrjes së paautorizuar në llogarinë e shërbimit digjital të Klientit.
g) Rubicon ka të drejtë për të kërkuar informacion shtesë dhe/ose dokumente në lidhje me:
1. transfertat e parave të marra nga Klienti. Kjo vlen veçanërisht kur këto transferta nuk kanë informacion të plotë për dërguesin.
2. shërbimin e rimbushjes (top-up). Informacionin vlen për të evidentuar burimin e jashtëm të transferimit të fondeve shtesë në llogarinë e klientit.
3. Ushtrimin e vigjilencës së duhur për zbatimin e detyrimeve ligjore.
4. Për qëllime të verifikimit të informacionit, Rubicon rezervon të drejtën për të kërkuar kopje të vërtetuara të dokumentacionit shtesë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Çdo shpenzim i bërë për shkak të këtyre kërkesave do të përballohet nga Klienti.
h) Rubicon ka të drejtë të bëjë pezullimin e të gjitha ose një pjesë të shërbimeve, nëse:
1. informacioni dhe/ose dokumentet e kërkuara nuk mund të sigurohen brenda një periudhe deri në 120 ditë kalendarike. Pezullimi i kryhet deri në arritjen e pajtueshmërisë.
2. nëse Klienti paraqet një kërkesë me shkrim për këtë qëllim.
i) Rubicon ka të drejtë të bëjë bllokim të menjëhershëm të shërbimit/transaksionit për situatat e mëposhtme:
1. Dyshimi i arsyeshëm se kredencialet ose elementët e sigurisë së klientit janë komprometuar.
2. Ka njoftim për akses të paautorizuar në llogarinë e shërbimit digjital të Klientit.
3. Rubicon rezervon të drejtën të bllokojë transaksione dhe aktivitetin e Klientit deri në një moment të dytë, nëse vihet re se Klienti individ kryen veprime që nuk janë në përputhje me profilin e tij si psh përdorimi i llogarisë për qëllime biznesi apo transaksione pa logjikë ekonomiko ligjore, ose Klienti biznes po përdor llogarinë jo për objektin e veprimtarisë që ka, apo për qëllime personale të zotëruesve të biznesit.
j) Rubicon në mbrojtje të sigurisë së klientëve rezervon të drejtën në çdo kohë për të ndërmarrë veprime për të mbrojtur sistemet dhe informacionin e saj nga dëmtimi ose kompromisi i integritetit, sigurisë, reputacionit ose funksionimit. Prandaj, Rubicon ka të drejtë të kryejë ndryshime në çdo kohë në drejtim të ofrimit të shërbimit, në përputhje me zhvillimet teknike ose në lidhje me masat e sigurisë të zbatuara, të ndryshojë, modifikojë, ose pezullojë shërbimin e ofruar për një afat deri në 24 orë nëse besojmë se një ndryshim i tillë është i nevojshëm për të mbrojtur klientin ne radhë te parë dhe sigurinë e sistemeve. Ndërprerjet e Shërbimit për afate më të gjata se 24 orë, apo në rastet kur lind nevoja e përditësimeve dhe konfigurimeve referuar sigurisë në sistemet “Pago”, klientët e prekur do të njoftohen paraprakisht nga Rubicon.
8. TË DREJTAT DHE DETYRIMET E KLIENTIT
a) Të përdorë “Pago” sipas qëllimeve dhe interesave të tij, në përputhje me kërkesat ligjore dhe udhëzimet e Rubicon.
b) Të mbushë/kreditojë llogarinë e tij nëpërmjet kartave të kreditit/debitit apo llogarive bankare.
c) Në çdo rast klienti urdhërues në transaksion mund të kërkoje kthimin shumë duke shkuar në rubrikën “kthimi i shumës”/“Refund” dhe të arsyetojë kërkesën për këtë veprim. Kërkesa do i paraqitet përfituesit të shumës dhe është ai që vendos për kthimin e saj ose jo.
d) Çdo klient përfitues në një transaksion mund të iniciojë një kthim shume pa pasur një kërkesë nga urdhëruesi i transaksionit duke arsyetuar këtë veprim.
e) Klienti mund të mbylli llogarinë duke paraqitur një kërkesë vetëm nëse balanca e saj është zero pa asnjë kosto shtesë.
f) Nëse klienti ngarkon në llogarinë e tij një kartë krediti/debiti apo një llogari bankare, e cila nuk është në emrin e tij, është e domosdoshme të sqarojë dhe vërtetojë lidhjen apo marrëdhënien me zotëruesin e tyre. Procesi i verifikimit mund të shoqëroeht edhe me një video-telefonate.
g) Nëse klienti ka kërkuar kartën Pago apo Pago+ dhe nuk e tërheq brenda 180 ditëve kalendarike pas njoftimit, karta bëhet automatikisht e pavlefshme.
h) Klienti është i detyruar të bashkëpunojë me Rubicon duke ofruar menjëherë çdo informacion ose dokumentacion të kërkuar.
9. MBROJTJA E TE DHENAVE PERSONALE
Rubicon e konsideron mbrojtjen e privatësisë dhe të të dhënave personale si çështje shumë të rëndësishme dhe është e përkushtuar të zbatojë kuadrin ligjor në mbrojtje dhe respektim të tyre, ashtu siç edhe përcaktohej më parë në Ligjin Nr. 9887 date 10.03.2008 dhe aktualisht në Ligjin Nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, si dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tyre, dhe Rregulloren Europiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Llojet e të dhënave që përpunohen.
Ne përpunojmë të dhëna që i marrim nga klienti në kuadër të marrëdhënies sonë të biznesit. Në vijim, ne përpunojmë të dhënat si informacioni personal i cili përfshin detajet personale dhe të dhëna kontakti (si p.sh: emër, mbiemër, adresë, datëlindje, vendlindje, shtetësi, etj.) ose informacion nga dokumente identifikimi apo pasaportë (si nënshkrimi dhe informacion i ID). Përveç kësaj përfshihen, regjistrim i zërit dhe figurës p.sh regjistrimi me kamera nga telefoni mobile, të dhëna për log-imin dhe identifikimin elektronik (aplikacione, cookies, etj.), të dhëna identifikuese financiare (të dhëna nga kartat e debitit dhe kreditit) ose të dhëna për parandalimin e pastrimit të parave, të dhëna për përputhshmërinë dhe të dhëna të tjera të ngjashme me kategoritë e përmendura më lart.
Përpunimi i të dhënave Personale kryhet:
a. Duke përdorur masat e duhura të sigurisë për të mbrojtur të dhënat nga manipulimi, zbulimi, humbja, aksesi i paautorizuar etj;
b. vetëm pas dhënies së pëlqimit të shprehur të subjektit të të dhënave;
c. për kohëzgjatjen për të cilën janë marrë;
d. vetëm me qëllim të:
1. ushtrimit të veprimtarisë së “Rubicon”;
2. vlerësim dhe menaxhim i riskut;
3. përmbushjes së detyrimeve ligjore, apo raportimet e detyrueshme si:
– Organet mbikqyrëse (si Agjencia e Inteligjencës Financiare, Banka e Shqipërisë) dhe audituese;
– Drejtoritë e Taksave (Qendrore apo Vendore)
– Autoritetet e ngarkuara me ligj për zhvillimin e hetimeve dhe/apo proceseve gjyqësore.
– Përmbaruesve gjyqësor për ekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Afati i ruajtjes së të dhënave të klientit.
Të dhënat personale përpunohen vetëm gjatë kohëzgjatjes që është e nevojshme për marrëdhënien tonë të biznesit, në përputhje me detyrimin për ruajtje siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi (Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Kodi Civil, Ligji Për Arkivat, Ligji Për Parandalimin e Pastrimit të Parave”). Arkivimi i të dhënave i nënshtrohet kufizimeve kohore.
Tranferimi i të dhënave në vende/palë të treta
Çdo klient i cili hap një llogari në “Pago”, ka të derjtë të pajiset, nëse dëshiron, kartë debiti e cila mund të jetë e llojit Mastercard ose Visa. Për këtë qëllim mund të transferohen të dhëna e klientit drejt vendeve të cilat plotësojnë kushtet me nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes të të dhënave personale sipas vendimit të Komisionerit për të Drejtën e Informomit dhe Mbrojtjes të të Dhënave Personale.
Konkretisht këto të dhëna transferohen drejt SHBA, Britanisë së Madhe dhe Belgjikës ku kompanitë e dhënies së shërbimit të kartave të sipërpërmendura kanë zyrat kryesore.
Gjithashtu në funksion të ushtrimit të detyrimeve që Institucioneve Financiare në mbarë botën i lind detyrimi për raportim, në zbatim të Aktit për Përputhshmërinë Tatimore të Llogarive të Huaja (“FATCA”) të dhënat mblidhen dhe raportohen 1 herë në vit pranë Shërbimit të Brendshëm i të Ardhurave (“IRS” – autoritet tatimor i SHBA).
Të drejtat e klientit
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ju jep të drejtën:
a) Për informacion dhe akses në të dhënat tuaja dhe detaje mbi përpunimin e të dhënave;
b) Për përditësimin, korrigjimin ose ndreqjen e informacionit që ne mbajmë;
c) Të kërkoni të fshihen të dhënat. Ju lutemi vini re se ne nuk do të jemi në gjendje të fshijmë të dhënat që na kërkohet të përpunojmë dhe të mbajmë në përputhje me ligjin në fuqi ose që mund të jenë të nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona ose për të ndërmarrë një veprim ligjor nëse të drejtat tona janë shkelur;
d) Të kundërshtoni përpunimin, në rrethana të caktuara. Në rast të një kundërshtimi të tillë, ne nuk do të punojmë më të dhënat tuaja personale, përveç nëse, ne mund të demonstrojmë baza legjitime bindëse për përpunimin që tejkalojnë interesat, të drejtat dhe liritë e subjektit të të dhënave ose për krijimin, ushtrimin ose mbrojtjen e pretendimeve ligjore. Kundërshtimi / ankesa e klientit mund të drejtohet: · me e-mail në adresën e postës elektronike të shërbimit info@rbcn.al;
– Telefonatë në numrin: +355 4 562 0560. Oraret e ndihmës ndaj klientit janë 09:00 – 17:00;
– Duke i shkruar Rubicon në adresën zyrtare te saj: Rruga “Donika Kastrioti”, PLL. Teknoprojekt Kati 6, Tiranë 1005, Shqipëri;
– me e-mail pranë Komisionerit për Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në adresën info@idp.al.
e) Të tërheqi pëlqimin për përpunimin e të dhënave bazuar në pëlqimin paraprak. Pëlqimi mund të revokohet duke dërguar e-mail në info@rbcn.al,
f) E drejta për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike. Përgjithësisht, ne nuk përdorim vendimmarrje të plotë automatike në kuptimin e Nenit e 22 GDPR, me qëllim që të krijojmë apo të zhvillojmë një marrëdhënie biznesi. Nëse do të na duhej ta përdorim këtë procedurë sipas rastit specifik, klienti bëhet me dije me anë të një njoftimi të veçantë, siç parashikohet me ligj.
Duke marrë parasysh shërbimet që shoqëria Rubicon ofron aktulaisht dhe synon të ofrojë ne vijim nëpërmjet “Pago”, është menduar që kostot për klientët, të jenë sa më të ulëta dhe të përballueshme.
Duke klikuar në këtë rubrikë 10 të Marrëveshjes, mund të merrni informacionin të plotë mbi “Tarifat dhe Komisionet” që Rubicon aplikon. Ju lutemi njihuni me këtë rubrikë, pasi me pranimin e Kushteve të Punës, ju jeni njohur dhe keni pranuar edhe Tarifat dhe Komisionet e aplikuara nga Rubicon.
Duke klikuar në këtë rubrikë 11 të Marrëveshjes, mund të merrni informacion mbi “Politikën e Privatësisë”. Ju lutemi njihuni me këtë politikë, pasi me pranimin e Kushteve të Punës, ju jeni njohur dhe keni pranuar edhe Politikën e Privatësisë.
12. SHËRBIMI NDAJ KLIENTIT/ PRETENDIMET
Klienti duhet të raportojë çdo shqetësim, aneksë, apo çështje që ka të bëjë me mosfunksionimin e platformës së shërbimeve digjitale menjëherë pas konstatimit të mosfunksionimit në rastin konkret.
Në rast se Klientit i lind nevoja për asistence ose ndihmë gjatë përdorimit të platformës së shërbimeve digjitale, mund ta kontaktojë Rubicon me anë të një prej mënyrave të mëposhtme:
– me e-mail në adresën e postës elektronike të shërbimit info@rbcn.al;
– Telefonatë në numrin: +355 4 562 0560. Oraret e ndihmës ndaj klientit janë 09:00 – 17:00;
– Duke i shkruar Rubicon në adresën Rr. “Donika Kastrioti”, PLL. Teknoprojekt Kt. 6, Tiranë 1005, Shqipëri.
13. JURIDIKSIONI
Kjo Marrëveshje për Kushtet e Punës hartohet dhe rregullohet nga legjislacioni shqiptar. Çdo mosmarrëveshje që do të lindë mes palëve në lidhje me këtë Marrëveshje, palët bien dakord ta zgjidhin me mirëkuptim mes tyre dhe në rast se nuk gjejnë zgjidhje me mirëkuptim, do t’i drejtohen Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si organi kompetent për zgjidhjen e konfliktit.
Version 1.8 në fuqi nga data 19.02.2025