Pago është edhe këtë vit, i vetmi institucion fintech që merr pjesë në POSÍ, Programin e Përshpejtimit të Pranimit të Pagesave Digjitale të Mastercard në Shqipëri, duke u ofruar bizneseve të vogla dhe të mesme akses në terminale POS falas dhe transaksione pa komision.
Në një kohë kur pranimi i pagesave elektronike është një detyrim ligjor për t’u përmbushur brenda vitit, Pago renditet si fintech-u i vetëm pjesëmarrës në programin POSÍ të Mastercard. Kjo do të thotë se bizneset e vogla dhe të mesme mund të aksesojnë përfitimet e programit drejtpërdrejt nëpërmjet platformës Pago së bashku me shumë lehtësi të tjera.
Çfarë është POSÍ
POSÍ – Programi i Përshpejtimit të Pranimit të Pagesave Digjitale nga Mastercard në Shqipëri synon zgjerimin e rrjetit të pranimit të pagesave elektronike në vend. Në mbështetje të bizneseve, gjatë 12 muajve të ardhshëm programi parashikon shpërndarjen e deri në 3,000 pajisje POS, duke nxitur rritjen e transaksioneve me kartë.
Kush mund të marrë pjesë
Programi u drejtohet bizneseve të vogla dhe të mesme me prezencë fizike në Shqipëri që veprojnë në sektorë specifikë: dyqane ushqimore, hotele, restorante e kafene, si dhe taksi. Kusht kryesor është që tregtari të mos ketë pasur më parë një pajisje POS dhe të operojë me dyqan fizik.
Përfitimet kryesore
Bizneset që aplikojnë përmes Pago përfitojnë një paketë konkrete:
- Pajisje POS falas për 12 muaj.
- 0% komision për të gjitha transaksionet me kartë deri në 20,000 euro. Pas kësaj shume aplikohen komisionet e paracaktuara në kontratë.
- 15 euro bonus mujor, nëse realizohen të paktën 20 transaksione me kartë në muaj.
Programi POSÍ 2.0 përfundon ose pas shpërndarjes së 3,000 terminaleve të reja POS, ose më 30 prill 2027, cilado ndodh më parë.
Karta e debitit Mastercard, falas
Përtej programit POSÍ, Pago u ofron klientëve kartën e debitit Mastercard plotësisht falas: pa tarifë fillestare, pa komision mujor apo vjetor, dhe pa komision për blerjet. Në këtë mënyrë tregtarët kanë akses të menjëhershëm në fondet e gjeneruara nga shitjet e tyre për blerje në POS, pagesa online ose tërheqje cash, krahas trasnfertave standarde që mund të bëjnë nga aplikacioni Pago.
Fiskalizim falas dhe çmime preferenciale për produktet e dev.al
Përveç POS-it dhe kartës së debitit falas, nëse bëheni pjesë e këtij programi ju përfitoni edhe abonimin në devPOS për fiskalizimin e faturave tuaja, falas për një vit dhe 30% zbritje në të gjitha produktet e tjera të dev.al.
Një nga avantazhet dalluese të Pago është integrimi me devPOS, sistemi i faturimit i përdorur nga rreth 27,000 subjekte biznesi. Një integrim dykahësh, unik në tregun shqiptar: vlera e faturës kalon automatikisht nga sistemi i fiskalizimit devPOS te terminali POS, ndërsa konfirmimi i pagesës kthehet menjëherë në devPOS, duke regjistruar të dhënat e transaksionit dhe duke eliminuar plotësisht rakordimet manuale në kontabilitet.
Për bizneset, kjo përkthehet në kursim kohe, më pak gabime dhe një proces pagese që shkurton ndjeshëm kohën e arkëtimit.
Përveç kësaj, klientët e Pago përfitojnë çmim preferencial për të gjitha produktet e tjera dev.al, duke shtuar vlerën e ekosistemit të integruar.
Përfitime nga partnerët: Madcom dhe host.al
Pago zgjeron paketën e përfitimeve edhe nëpërmjet partnerëve të saj. Bizneset dhe individët përfitojnë:
- 20% zbritje në abonimet e partnerit Madcom (ofrues shërbimi interneti – ISP).
- 40% zbritje te partneri host.al, ofrues i shërbimeve të domain-eve dhe hosting-ut.
Këto përfitime synojnë të mbështesin sidomos bizneset e vogla që po dixhitalizojnë veprimtarinë e tyre, nga lidhja me internet deri te prezenca online.
Kushtet dhe përfundimi i programit
Çdo tregtar mund të nënshkruajë marrëveshje vetëm me një institucion financiar dhe të marrë vetëm një pajisje POS falas, ku çdo MCC i ndryshëm (kod i kategorise së aktivitetit) llogaritet si tregtar i veçantë. Për të mbetur aktive në program, çdo pajisje POS duhet të realizojë të paktën katër transaksione Mastercard në çdo tremujor.
Tregtarët mund të largohen nga programi dhe ta kthejnë pajisjen në çdo moment gjatë periudhës 12-mujore, pa asnjë kosto apo penalitet. Pas përfundimit të kësaj periudhe, ata mund ta kthejnë pajisjen pa ndëshkim ose të vijojnë ta përdorin me kushtet e kontratës.

